REPORTAZH- Marrëveshja e arritur mes KFOR-it dhe qeveritarëve serbë,
duket se akoma nuk iu është komunikuar qytetarëve serbë të veriut.
Liria e lëvizjes në ato anë vlen vetëm për banorët që janë pjesë e misionit të strukturave paralele për të bllokuar shtrirjen e institucioneve të Kosovës.
Nga situata e krijuar ka frikë edhe një shofer taksie i komunitetit serb. Gjatë shoqërimit të ekipit të Top Channel në rrugëtimin në veri ai u detyrua të shmanget nga rrugët kryesore, duke kaluar nga qendra e veriut të Mitrovicës.Shoferi thotë se nuk ka qenë pjesë e personave që vendosën barrikada dhe nuk do të jetë kurrë.
Një tabele me mbishkrimin Kosova është Serbi, e vendosur në Fshatin Rudarë dhe dhjetëra serb për të nëntën ditë mbajnë të bllokuar rrugën magjistrale në drejtim të portës 1 në Jarinje. Serbët duken të përgatitur për cfardo lloj situate, ata kanë ushqime me vete ndërkaq në vendin e ngjarjes në rast emergjence është edhe një auto ambulancë.
50 kilometra më larg është pika kufitare 1 në Jarinje e shpallur zonë e kufizuar ushtarake nga KFOR-i. Edhe ato pak mbishkrime në gjuhën shqipe tashmë janë fshirë. Ndërkaq në skaje të rrugëve janë vendosur poster të kryeministrit rus Vladimir Putin dhe kampionin e Wimbledone, Novak Gjokovic.
Ora 13:00 e së enjtes shënoi kalimin e parë të pesë kamioneve të Kryqit të Kuq nga pika një në Jarinje të cilët transportojnë ndihma humanitare për serbët. Kjo pavarësisht se veriu nuk duket se vuan nga kriza e ushqimeve pasi dyqanet janë të mbushura plot me mallra dhe këtë e konfirmon edhe drejtuesi serb i taksisë.
Pika 1 në Jarinje e cila u dogj ditë më parë, kontrollohet nga ushtarët amerikanë. E hapur para pak ditësh nëpërmjet kësaj pike tashmë lejohet lëvizja e autmojeteve por vërehen kontrolle të rrepta nga amerikanët.
Në Prishtinë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila thotë se me vendosjen e infrastrukturës në Jarinje do të vendosen edhe doganierët e policët kosovarë.
Zyrtarët e policisë së Kosovës ndodhen në urën kryesore të lumit ibër. Ata thonë se situata duket e qetë, pavarësisht se fletushkat e hedhura andej e këndej urës që paralajmërojne tensione, nuk mungojnë.
Top Channel