Ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj ka akuzuar Beogradin se po përpiqet të zgjerojë hartën e tensioneve, me qëllim realizimin e “ëndrrës” së tij për ndarjen e Kosovës.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Hoxhaj është shprehur se ndarja e Kosovës është një rrezik konkret, që mund të ndodhë nëse nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët.

“Kjo para së gjithash varet nga mënyra se si do të reagojnë fuqitë perëndimore. Nga mënyra se si vendet anëtare të NATO-s do të mbështesin praninë dhe punën e KFOR-it në këtë pjesë të territorit tonë dhe nga presioni i diplomacisë ndërkombëtare ndaj Beogradit”, ka deklaruar Hoxhaj.

Sipas tij, opsioni i ndarjes së Kosovës po shqyrtohet gjithnjë e më shumë nga pala serbe, sidomos pas arrestimit të ish-gjeneralit Ratko Mlladic, që ishte pengesa kryesore për në BE.

Por shefi i diplomacisë kosovare ka vlerësuar se ndarja e shtetit kosovar është shumë e rrezikshme, pasi pas saj vende të tjera të rajonit do të kërkonin ndryshimin e kufijve.

“Ndarja do të hapë Kutinë e Pandorës dhe pasiguria, destabiliteti dhe dhuna mund të përhapen në të gjithë rajonin në një shkallë të paimagjinueshme”, ka shtuar Hoxhaj.

Top Channel