Komandanti i trupave të KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler ka deklaruar se mungesa e ligjit në veri të Kosovës është shkaku i dhunës dhe i krizës që ka përfshirë këtë zonë të shtetit të ri.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Der Tagesspiegel”, Byhler është shprehur se në veri veprojnë struktura kriminale të mirëorganizuara që cënojnë paqen dhe sigurinë.

“Ky është një nga shkaqet kryesore të problemit. Këtu është lejuar për një kohë të gjatë krijimi i strukturave radikale. Ato janë grupe shumë të fuqishme kriminale dhe me përbërje multietnike”, ka deklaruar Byhler.

Sipas tij, këto struktura menaxhojnë dhe financojnë forca të armatosura, të cilat drejtojnë barrikadat dhe paguajnë njerëzit që të qëndrojnë para tyre.

“Banorët e veriut që duan paqen janë bërë pengje të këtyre strukturave”, ka saktësuar Byhler, i cili ka nënvizuar se është në interesin e Serbisë që situata në Kosovë të qetësohet.

Komandanti i KFOR-it ka deklaruar se BE është i interesuar që Prishtina dhe Beogradi të vijojnë dialogun dhe ka shtuar se për situatën në veri do të zhvillohen bisedime edhe në Bruksel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA