Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ritheksoi sot në mbledhjen e qeverisë, se në veri nuk do të ketë kthim në status kuo. (UPDATE)

Gjithashtu, ai akuzoi zyrtarët serbë që po qarkullojnë në atë pjesë të vendit për nxitjen e tensioneve dhe bashkëpunim me kontrabandistët.

“Për fat të keq zyrtarët serbë ende po futen në mënyrë klandestine dhe janë të vetmit në Evropë që lëvizin në mënyrë të tillë. Shteti i Kosovës vazhdon me insistim dhe me argumente të mbajë përgjegjës direkt këta zyrtarë të Beogradit për tensionin dhe dhunën në veri”, deklaroi Thaci.

Sipas tij, këta zyrtarë janë të lidhur ngushtë me kontrabandistët në veri, mbështesin bllokuesit e rrugëve dhe qëndrojnë shpeshherë mes tyre para barrikadave.

“Ata shihen të shoqëruar dhe të mbrojtur nga paraushtarakë të armatosur. Prandaj, shteti i Kosovës këta zyrtarë i vlerëson si cenues të të drejtave të njeriut. Ata po mashtrojnë, po paguajnë gra e fëmijë për të qëndruar në barrikada”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri ritheksoi vendosmërinë e institucioneve kosovare për rivendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ai tha se aksioni policor i 25 korrikut ka qenë i pritshëm dhe tërësisht ligjor dhe nënvizoi se institucionet e Kosovës do vijojnë të punojnë për vendosjen e shtetit ligjor.

“Beogradi e di që Kosova është vend sovran dhe i pavarur. Kështu që vendimet tona kanë qenë kushtetuese, ligjore, të drejta dhe janë të pakthyeshme. Tani kërkohet vetëm implementimi i gjendjes së plotë kushtetuese dhe ligjore”, theksoi Thaci.

“Kur theksoj se Beogradi ka qenë i informuar për vendimin e qeverisë së Kosovës, e theksoj se të gjithë e kanë ditur se qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të tolerojë më kontrabandën, krimin, grupet paraushtarake dhe MUP-në serbe në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Kryeministri i bëri të qartë Serbisë, por edhe BE-së, se prekja e kufirit të Kosovës mund të hapë temën e ndryshimit të kufijve në të gjithë Ballkanin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA