Prishtina u shpreh e gatshme për vazhdimin e dialogut të nisur me Beogradin, pavarësisht se ka akuzuar qeverinë e Serbisë si përgjegjëse për trazirat e ditëve të fundit në veri të Kosovës.

Zv/kryeministri Hajredin Kuci u shpreh se dialogu nuk mund të personalizohet, duke iu referuar kështu prezencës se kryenegociatorit të Serbisë Borko Stafanovic, i cili u shfaq disa herë mes protestuesve serbë në veri të Kosovës.

“Ne s’duhet ta personalizojmë praninë e tij. Ai për qeverinë e Kosovës nuk paraqet asgjë, është vetëm një politikan serb. Qeveria e Serbisë ekspozon elementët e saj në Kosovë”, deklaroi Kuci pas mbledhjes së qeverisë.

Gjatë kësaj mbledhjeje, kryeministri Hashim Thaci mbrojti vendimin për aplikimin e masave reciproke me Serbinë dhe nënvizoi se bashkësia ndërkombëtare nuk është e befasuar nga kjo.

“Befasia më e madhe e ndërkombëtarëve ka qenë përse nuk kemi vepruar prej 12 vitesh. Edhe vetë Beogradi është habitur, pasi është e patolerueshme për një vend sovran”, tha Thaci.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Mimoza Kusari Lila deklaratat se Kosova do të përfshihet nga një krizë humanitare i ka quajtur “një lojë politike të Beogradit”.

Thaci: Në veri s’ka kthim prapa

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ritheksoi sot në mbledhjen e qeverisë, se në veri nuk do të ketë kthim në status kuo.

Gjithashtu, ai akuzoi zyrtarët serbë që po qarkullojnë në atë pjesë të vendit për nxitjen e tensioneve dhe bashkëpunim me kontrabandistët.
“Për fat të keq zyrtarët serbë ende po futen në mënyrë klandestine dhe janë të vetmit në Evropë që lëvizin në mënyrë të tillë. Shteti i Kosovës vazhdon me insistim dhe me argumente të mbajë përgjegjës direkt këta zyrtarë të Beogradit për tensionin dhe dhunën në veri”, deklaroi Thaci.

Sipas tij, këta zyrtarë janë të lidhur ngushtë me kontrabandistët në veri, mbështesin bllokuesit e rrugëve dhe qëndrojnë shpeshherë mes tyre para barrikadave.

“Ata shihen të shoqëruar dhe të mbrojtur nga paraushtarakë të armatosur. Prandaj, shteti i Kosovës këta zyrtarë i vlerëson si cenues të të drejtave të njeriut. Ata po mashtrojnë, po paguajnë gra e fëmijë për të qëndruar në barrikada”, u shpreh Thaçi.
Kryeministri ritheksoi vendosmërinë e institucioneve kosovare për rivendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Mitrovicës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA