Topi: Berisha shpik vota

28/07/2011 20:00

Si asnjëherë tjetër më parë Presidenti i Republikës i është përgjigjur direkt kryeministrit Berisha.

Në deklaratën për shtyp, Presidenti nuk i referohet “zërave” apo “individëve”, sic ka ndodhur në reagime të mëparshme, por thotë shprehimisht se lidhur me komentet politike të bëra nga ana e kryeministrit Berisha në konferencën për shtyp, ai sqaron pozicionin e tij.

Dhe pozicioni i Presidentit, sipas këtij njoftimi, ka qenë, është dhe do të mbetet kushtetues, jashtë ndikimit direkt apo indirekt të partive politike.

“Çdo përpjekje apo aludim tjetër që tenton ta pozicionojë politikisht Presidentin, është i gabuar, spekulativ dhe i pamoralshëm”, thotë deklarata e kreut të shtetit.

Toni i reagimit bëhet më i fortë në vijim, kur sulmet e kohëve të fundit i cilëson “të padenja dhe denigruese”.

Presidenti shpjegon se deri më sot nuk ka dashur t’u përgjigjet këtyre akuzave, me përgjegjësinë për nevojën e stabilitetit demokratik në vend.

Presidenti vlerëson se këto akuza janë një lojë, që ka të njëjtët aktorë dhe të njëjtat sjellje apolitike prej më shumë se një dekade.

Presidenti e vendos veten në anën e qytetarëve, po edhe të partnerëve ndërkombëtarë kur thotë se, të tërë kanë qenë dhe janë në pritje të reflektimit politik dhe masave konkrete, por fatkeqësisht sjellja politike mbetet e njëjtë.

“Individë dhe institucione politike që kanë detyrë të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet në mënyrë sistematike ia lejojnë vetes të krijojnë situata të paqëna, të shpikin vota dhe kundërshtarë politikë, të krijojnë tension artificial midis qytetarëve dhe institucionit të kreut të shtetit, si dhe të tërheqin vëmendjen nga nevoja jetike që ka vendi për reforma të prekshme dhe rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, deklaron Topi.

Duke vijuar më tutje, Presidenti shton epitetet për këtë lloj debati, duke e cilësuar kësaj here “debat shterpë dhe të inskenuar”.

Duke iu rikthyer votimit të tij më 8 maj, Presidenti flet për skenarë të parapërgatitur nga autorët partiakë të administrimit të votës.

Në të njëjtën deklaratë Presidenti refuzon të bëjë komente lidhur me nevojën ose jo të ndryshimeve kushtetuese.

Por ai kujton komentet e tij përpara ndryshimeve të fundit të Kushtetutës më 21 prillit 2008, sipas të cilave interesat politike të momentit dominuan nevojën për institucione funksionale dhe të qëndrueshme demokratike, të bazuara në parimin kushtetues të ndarjes dhe të balancës së pushteteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA