30 minatorë të Bulqizës vendosin që të hyjnë në grevë urie në shenjë proteste për mosplotësimin e kërkesave të tyre.
Ashtu sikurse kishin paralajmëruar, pas protestës në Bulqizë dhe në Tiranë, përfaqësuesit kanë vendosur që të përshkallëzojnë protestën e tyre duke zhvilluar grevën në nivelin e 14-ert të minierës, rreth 1000 metra nëntokë.
Minatorët prisnin disa ditë më parë bisedime me kompaninë ACR për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
Të dyja palët deklarohen për bisedime dhe ato janë zhvilluar disa herë, por ende nuk ka patur një rezultat përfundimtar. Ndërkohë kompania ACR ju bën thirrje minatorëve që të rikthehen pranë vendeve të tyre të punës nga ku do realizohen bashkëbisedimet për të rënë dakord në lidhje me kërkesat që ata kanë.
“Kompania ACR, – thuhet në deklaratën e kompanisë konçesionare, – është e angazhuar që së bashku me minatorët të punojnë për interesin e përbashkët të kësaj miniere që është burimi kryesor i jetesës për familjet e tyre”.
Në deklaratë thuhet se “ACR garanton se minatorët që do rikthehen në punë përfitojnë pagën e premtuar gjatë kësaj kohe”.
Paralajmërimet e sindikatës
Pak ditë më parë një nga drejtuesit e sindikatës kërcënoi me tërheqjen edhe të punonjësve të sigurisë dhe përmbytjen e galerisë.
Menjëherë pas këtij deklarimi ka ardhur reagimi shqetësuar i kompanisë ACR në deklaratën e kësaj kompanie thuhet se vazhdimi grevës dhe aq më shumë kërcënimi nga drejtuesit e sindikatës se do ta shkatërrojnë minierën është në dëm të të gjithëve.
Kërcënime të tilla janë me pasoja të rënda penale për ata që i bëjnë, por edhe me pasoja të rënda sociale për qytetin e Bulqizës për shkak se qindra minatorë do të humbin vendet e punës.
ACR ju bën thirrje minatorëve të rikthehen të hënën në punë për ta mbrojtur minierën e tyre.
Top Channel