Borxhi i Shteteve të Bashkuara ka tronditur tregjet ndërkombëtare. Bursat në Europë u hapën me rënie, nën peshën e frikës së një ngërci të mundshëm amerikan, duke qenë se ende nuk ka një marrëveshje mes republikanëve dhe demokratëve për tavanin e borxhit.
Që në hapje, bursa në Itali shënoi rënie me 1,14%, Parisi nisi me -0,57%, Frankfurti pati humbje me 0.71%.
Situatën e vështirëson akoma më shumë vendimi i Agjencisë se rating-ut, Moody`s, për të tkurrur edhe më tej vlerësimin mbi borxhin grek dhe aftësine e vendit për të ripaguar huanë, duke e cuar vetëm një hap pranë falimentimit.
Sa për Amerikën, nga ku nisi dhe kriza financiare para dy vjeteve që tronditi globin, liderët e Kongresit vazhdojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje, e cila nuk do të lejojë vendin më të pasur të botës të mos jetë në gjendje të paguajë borxhin.
Si kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner, ashtu edhe sekretari i Thesarit, Timothy Geithner, shprehin besim se zgjidhja e konfliktit për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare do të gjendet.
Marrëveshja është pranë, tha Geithner për CNN. Është e paimagjiueshme, vazhdoi ai, që Shtetet e Bashkuara të mos jenë në gjendje të përmbushin detyrimet financiare.
Dy palët janë megjithatë ende shumë larg njëra-tjetrës, me republikanët që këmbëngulin për një akord në dy faza dhe demokratët që nuk binden nga ideja e një plani afatshkurtër.
Ndërkohë, në Nju Jork, cmimi i arit ka arritur majat, duke u kuotuar në më shumë se 1,616 dollarë për ons.
Top Channel