Banorët e fshatit Trush të Nënshkodrës kanë zhvilluar një protestë duke mbajtur për rreth dy orë të bllokuar rrugën nacionale Shkodër-Velipojë.
Shkaku i kësaj proteste ka qenë fakti se pavarësisht se kanë kaluar 7 muaj nga përmbytja masive në Shkodër asnjë banor i dëmtuar ende nuk ka marrë dëmshpërblim pavarësisht premtimeve të shumta.
Me qindra banorë të fshatit Trush kanë marshuar me pankarta në duar nga rruga kryesore e fshatit për në rrugën nacionale Shkodër-Velipojë. Më pas marshimi i protestuesve është ndalur në rrugën e Velipojës duke mbajtur të bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Protestuesit janë ulur në rrugë dhe me thirrjet “Duam paratë tonaâ€, kanë vazhduar protestën për rreth dy orë.
Banorët e zonës shprehen të revoltuar pasi përmbytja masive e fund vitit të kaluar i ka lënë pa bujqësi dhe blegtori madje ka shumë prej tyre që u janë shembur dhe shtëpitë.
Gjithashtu protesa është përkrahur dhe nga kryetari i komunës Bërdicë ku bënë pjesë banorët e fshatit Trush, kryetari komunës Besnik Xhemali është shprehur se komuna e përkrah plotësisht reagimin e banorëve të saj.
Gjatë protestës së banorëve të fshatit Trush ishin të pranishëm dhe forcat e rendit të cilat pasi negociuan me protestuesit bënë të mundur zhbllokimin e rrugës nacionale Shkodër-Velipojë që dhe për shkak të fundjavës trafiku i automjeteve kishte krijuar rradhë të gjata në pritje të hapjes së rrugës.
Top Channel