Sekretari amerikan i Thesarit, Timoti Gajtner u shpreh besimplotë për arritjen e një marrëveshjeje që do të reduktojë borxhin e Shteteve të Bashkuara.
Komentet e tij për CNN-in erdhën pas takimit të dështuar mes presidentit amerikan, Barak Obama dhe udhëheqësve të Kongresit.
Marrëveshja për uljen e borxhit duhet të nënshkruhet përpara se Shtetet e Bashkuara të rrisin kufirin e huasë prej 14.3 bilionë dollarësh.
Ky limit duhet të arrihet më 2 gusht. Në këtë pikë Thesari amerikan mund të mos ketë para për të paguar detyrimet, çka mund të sjellë rritje të normave të interesit, të kërcënojë shërimin e ekonomisë amerikane, madje dhe asaj botërore.
“Nyja gordiane” është çështja e taksave. Presidenti Obama kërkon marrëveshjen e reduktimit të borxhit, me një kombinim të uljes së shpenzimeve dhe rritjes së taksave, por republikanët në të dy Dhomat e Kongresit i kundërshtojnë këto me forcë.
Republikanët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Pas takimit të së shtunës, Shtepia e Bardhë i kërkoi Kongresit të ndalojë lojërat me ekonominë dhe të bëjë detyrën, për të ulur defiçitin.
Një pakt i pranueshëm nga të dy palët mund të arrihet të hënën.
Top Channel