Plazhet e Durrësit, Golemit dhe veçanërisht në zonën e Përroit të Agait, kanë një ndotje alarmante nga ujrat e zeza që shkarkohen në det prej vetë hoteleve vilave dhe apartamenteve të zonës.
Era e rëndë e ujrave të zeza ndjehet gjithandej, ndërkohë që tre nga pesë impiantet e filtrimit të ujërave që shkarkohen në det nuk po funksionojnë.
Dy prej tyre nuk janë vënë asnjë ditë në funksionim për shkak të mungesës së fondeve, ndërsa i treti që ndodhet në kanalin pranë Konvaleshencës së Ministrisë së Mbrojtjes është dëmtuar, kimikatet janë vjedhur gjatë natës.
Një nga dy personat që kujdeset për filtrat thotë se filtri i dëmtuar do të vihet në funksionim shpejt, ndërsa problem mbetet sigurimi i fondeve nga komuna Golem për vënien në përdorim të dy filtrave të tjerë.
Filtrat e vendosura më 2 korrik në plazhet e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit u deklaruan nga Ministria e Mjedisit si një zgjidhje për ndotjen e ujërave detare përgjatë këtij sezoni turistik nga shkarkimet e ujërave të zeza në det.
Problem mbeten dy filtrat e pavëna në punë për mungesë fondesh nga ana e komunës së Golemit.
Në këtë zonë mund të gjesh këtë sezon hotele me çmime më të lira se më parë, por ajo që merr falas, është infeksioni në ujë.
Top Channel