Pjestarët e një familjeje shqiptare në qytetin Rethimno të ishullit të Kretës megjithëse kanë ngelur të shokuar nga vdekja e të dashurit të tyre, pa asnjë hezitim, kanë marrë vendimin e madh humanitar: të dhurojnë jetë të tjera, nga trupi i tij.
41 vjeçari shqiptar Ardian Arapaj, baba i dy vajzave 19 dhe 11 vjeç, me origjinë nga Përmeti, që punonte dhe jetonte në këtë qytet prej mëse 20 vitesh, ka pësuar një hemoragji cerebrale para disa ditësh dhe me gjithë përpjekjet e mjekëve specialistë të spitalit universitar të qytetit, nuk ka mundur të mbijetojë.
Megjithë dhimbjen e madhe të humbjes së tij, pesë vëllezërit dhe dy motrat e tij kanë gjetur forcën dhe kanë dhuruar disa prej organeve të tij, tek tre pacientë që prisnin prej vitesh në listat e gjata për transplantim organesh.
Menjëherë janë organizuar nga repartet speciale mjekësore dërgimi i mëlçisë tek një pacient i Spitalit Popullor të Athinës dhe dy veshkat, tek dy të tjerë, në spitalin Ipokratio të Selanikut.
Akti i dhurimit të organeve nga familja shqiptare, është rasti i dytë brenda pak muajve, që vihet në qendër të vëmendjes si shembull humanizmi nga mediat greke, të cilat ushtrojnë kritikë ndaj mentalitetit të vendasve që radhiten në vendet e fundit të popujve europianë që dhurojnë organe.
Në Greqi vetëm 100 persona në vit, ose 10 në 1 milion, bëhen dhurues organesh pas vdekjes, kur spanjollët që zënë vendin e parë në Europë dhurojnë 3 herë më tepër.
Miq e të dashur të Ardianit, gjithë komuniteti shqiptar i Kretës, me dhimbje, por dhe me krenari kanë përcjellë për në atdhe trupin e të dashurit të tyre që me vdekjen e tij ka dhuruar jetë të reja.
Top Channel