Fitorja e zgjedhjeve në Tiranë i ka dhënë Lulzim Bashës edhe fitoren tjetër, këtë herë brenda Partisë Demokratike.
Votimi i Këshillit Kombëtar për anëtarët e kryesisë e ka nxjerrë Lulzim Bashën të parin në listën me 42 kandidatë të paraqitur nga kryetari i partisë, Sali Berisha. Zoti Basha ka marrë 116 vota nga 131 vota të vlefshme dhe pasohet menjëherë nga Sokol Olldashi, me 104 vota, edhe ky ish-kandidat për bashkinë e Tiranës 4 vjet më parë.
Duket se fitorja e zgjedhjeve në Tiranë ka ndikuar dukshëm në votimin e Këshillit Kombëtar, pasi një vit e gjysmë më parë, kur kuvendi kombëtar zgjodhi këtë forum, zoti Basha renditej poshtë drejtuesve kryesorë të partisë.
Për votimin e kryesisë, bie në sy se numri dy i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, është renditur në vendin e 9-të me 92 vota dhe Aldo Bumçi, kryetari i PD-së në Tiranë, Bujar Edmond Spaho apo Bujar Nishani kanë marrë pak vota më shumë ose vota të barabarta me nënkryetarët e partisë, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi.
Përtej këtij ndryshimi në renditjen e votave, përbërja e kryesisë së Partisë Demokratike nga ajo e vjetra nuk ka ndryshuar shumë në përbërje, edhe pse disa prej tyre kanë ndryshuar.
Nga 25 anëtarë, 9 janë anëtarë të rinj, kryesisht deputetë ose aktivistë me përvojë të gjatë në Partinë Demokratike.
Top Channel