Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sot në kryeqytetin norvegjez Oslo
rreth orës 15.20, pranë selisë qeveritare duke shkaktuar të paktën dy të
vdekur dhe tetë të plagosur.(UPDATE)
Një zyrtar i policisë njoftoi se shpërthimi ishte prej një bombe, ndërsa priten njoftime zyrtare nga autoritetet mbrojtëse norvegjeze.
Raportimet e mediave ndërkombëtare bëjnë me dije se në një prej qyteteve të më qeta të botës, në këto momente ka probleme dhe kaos. Të gjitha rrugët që të cojnë në qendër janë të bllokuara, ndërsa në vendin e shpërthimit duken qartë ndërtesat e dëmtuara, xhamat e thyer dhe dëme të tjera materiale.
Ajo që dihet me siguri është se në momentin e shpërthimit kryeministri Jens Stoltenberg, nuk ndodhej në zyrën e tij.
Ndërsa disa burime të tjera thonë se shpërthimi ka ndodhur mes Ministrisë së Financave dhe zonës ku ndodhet selia e tablodit të famshëm norvegjez “VG”.
Një ekspert vendas i terrorizmit, i intervistuar nga televizioni shtetëror NRK, ka deklaruar se ndoshta mund të bëhet fjalë për një atentat terrorist te planifikuar.
Top Channel