Varri që mban mbetjet e zëvendësit të Adolf Hitler, Rudolf Hess, është shkatërruar në mënyrë që të mos përdoret më si objekt pelegrinazhi nga neo-nazistët.
Kockat e Hess u zhvarrosën nga varrezat në qytetin Unsiedel, në jug të Gjermanisë, ditën e mërkurë. Ato u dogjën dhe pritet që të hidhen në det.
Hess u kap teksa po fluturonte për në Britani në vitin 1941 dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Ai vrau veten në një burg të Berlinit në vitin 1987, në moshën 93-vjecare.
Ashtu si ishte vullneti i tij, Hess u varros në qytetin e vogël bavarez Unsiedel, ku familja e tij kishte një shtëpi pushimi dhe ku prindërit e tij ishin varrosur.
Kisha lokale Luteriane, që mbikëqyr varrezat, dha asokohe lejen e saj për varrimin, duke vendosur se dëshirat e të ndjerit nuk mund të injoroheshin.
Por ata dhe banorët e qytezës që prej atëherë janë shqetësuar nga numri i grupeve të ekstremit të djathtë që vizitojnë varrin.
Top Channel