Vlorë, ndotja e Zvërnecit “pa fajtor”

21/07/2011 20:55

Ndotja me solar e bregdetit të Zvërnecit edhe sot e kësaj dite ka mbetur pa ndëshkim për autorët.

Përkundër deklarimeve të kreut të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Geron Gunabardhi, edhe pas më shumë se 9 ditë autorët e këtij krimi mjedisor nuk janë ndëshkuar.

Të pyetur nga Top Channel, drejtuesit e Agjencisë Rajonale të Mjedisit deklarojnë se ata vazhdojnë të presin analizat e hidrokarburit që u shkarkua në det.

Të pyetur nëse janë vendosur gjoba, Gunabardhi deklaron jashtë kamerave se është duke pritur hetimin e nisur nga prokuroria, por ende nuk ka një përfundim.

Ndërkohë, pas ndotjes ARM nuk pezulloi veprimtarinë e imbarkimit të një anijeje në det, e dyshuara kryesore për ndotjen, gjithashtu nuk është njoftuar ndonjë bllokim apo gjobë ndaj kompanisë që menaxhon depozitat e Pusit të Mezinit dhe tubacionet.

Ato janë ndërtuar në vitet ‘70 dhe rezultojnë tejet të amortizuara dhe aktualisht janë në pronësi të kompanisë Armo.

Ditën e konstatimit të ndotjes nga ana e Agjencisë Rajonale të Mjedisit u deklarua se po merren masa për penalizimin e përgjegjësve, ndërkohë një ditë më pas u pastrua pjesa e rërës së ndotur, inspektorët e mjedisit edhe nga Tirana panë nga afër gjendjen, por vetëm kaq.

Ata që shkatërruan plazhin nuk janë penalizuar ende nga institucionet që detyrohen me ligj të mbrojnë mjedisin në një kohë kur propagandohen me forcë aksionet për ndalimin e ndotjes së plazheve nga ujërat e zeza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA