Qytetarë të shumtë kanë filluar të mblidhen përpara Piramidës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të protestuar kundër prishjes së saj për të ndërtuar parlamentin e ri.
Tubimi i sotëm është një tubim qytetar dhe pritet që një numër i madh personash të nënshkruajnë peticionin kundër prishjes së saj.
Gjatë mitingut do të ketë edhe ndërhyrje të arkitektëve dhe mbrojtësve të trashëgimisë kulturore.
Arkitekti i njohur Artan Shkreli deklaron se vendimi i Parlamentit për shembjen e kësaj strukture është absurd, ashtu si dhe argumentet e dhëna për këtë projekt.
“Ata që hedhin poshtë vlerat e Piramidës janë njerëz që punojnë për pushtetin dhe bëjnë sikur nuk kanë lidhje me të. Ambasadorët janë të terrorizuar nga ky veprim i kastës qeveritare, e cila shpërfill opinionin publik”, pohon Shkreli.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe mbrojtësi i trashëgimisë kulturore, Artan Lame, i cili thekson se argumenti i qeverisë se Piramida përfaqëson ish-diktatorin Enver Hoxha është një absurditet.
“Të rinjtë nuk e lidhin fare piramidën me Enverin dhe kanë bërë këtë frazë: Mbani Enverin dhe na lini piramidën. Prandaj, ringjallja e kësaj figure është justifikimi më i turpshëm”, nënvizon Lame.
Top Channel