Publicisti Adrian Klosi ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Berisha, për projektin e tij për prishjen e Piramidës.
Duke folur në tubimin qytetar për shpëtimin e strukturës, Klosi është shprehur se kryeministri nuk duhet të përdorë mjetet e tij për qëllime personale.
“Si mund ta bëjë një kryeministër, që është i ardhur dhe i zbritur? Një kryeministër nuk është i tillë sepse ka polici, para, apo fadroma. Ai është i tillë sepse është zgjedhur nga një pjesë e popullit dhe ka për detyrë të dialogojë me popullin e vet, për të kryer detyrën e administrimit të të mirave materiale”, ka deklaruar Klosi.
Ai ka theksuar se kryeministri duhet të dëgjojë qytetarët, që thonë se Piramida nuk duhet prishur, por duhet restauruar një orë e më parë.
“Pranoni dialogun dhe prisni nesër një përfaqësi tonën, që kërkon mosprishjen e Piramidës”, është shprehur Klosi.
Ai ka akuzuar kryeministrin dhe qeverinë e tij se po përpiqet të akumulojë pasuri personale përmes këtij projekti, që argumentohet me justifikimin absurd të diktatorit Enver Hoxha.
Top Channel