Deputeti socialist Taulant Balla ka përsëritur dyshimet e partisë së tij mbi procedurat e ndjekura nga mazhoranca për prishjen e Piramidës dhe ndërtimin e parlamentit të ri.
“Mënyra se si po vepron kjo qeveri ngre shqetësime për praktika të dyshimta. Ne si opozitë kemi ngritur shqetësimin për procedurat e ndjekura. Shoqëria e ndërtimit është zgjedhur me një sekser. Një gazete, 14 ditë para se të shpallej fituesi, tregonte se kush ishte shoqëria fituese”, ka deklaruar Balla.
Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Balla është shprehur se Piramida ka një rëndësi të vecantë për kryeqytetin dhe për këtë duhen pyetur edhe qytetarët.
“Qeveria duhet të pyesë qytetarët, a jeni dakord që të prishet kjo godinë? Pse jo edhe një referendum. Duhen parë të gjitha formalitetet për të zyrtarizuar këtë propozim”, ka pohuar Balla.
“Piramida, e njohur ndryshe si QNK “Pjetër Arbnori”, është pjesë e arkitekturës së kryeqytetit. Referendumi do të ishte një rast i mirë për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje”, ka shtuar ai.
Top Channel