Për median britanike, seanca dëgjimore e Rupert Murdoch dhe të birit përpara deputetëve britanikë, ishte një moment ngarkesash të larta dramatike dhe farsë.
“Nuk është se shohim përditë të thirret përpara një komisioni parlamentar manjati më i fuqishëm mediatik i globit”, thotë BBC.
Por, parashikimet se kjo do të ishte një ditë e kohëve moderne e barazvlefshme me atë kur njerëz të akuzuar për shkelje të moralit publik qëlloheshin me fruta të prishura u dukën shumë të largëta kur James dhe Rupert Murdoch adoptuan butësisht mbrotjen e fuqishme të injorancës dhe keqardhjes. 80-vjeçari Murdoch u shfaq i brishtë, shumë më njerëzor sesa figura e legjendës së krijuar për të, me pak fjalë asgjë nga ai titani të cilit i tremben të gjithë.
“Më shumë ngjasonte me një plak modest që ka dalë për një xhiro në breg të detit dhe që gabimisht ka përfunduar në pranga për grabitjen e një dyqani”, thonë në analizën e tyre Iain Watson dhe Brian Wheeler.
Seanca pati pauza të gjata. Murdoch nuk mbante mend detaje. Dhe në më shumë se një rast ndërpreu fjalën e të birit për të thënë se “kaq i poshtëruar nuk ishte ndjerë kurrë në jetë” dhe për të shtuar paskësaj: “Shkatërruam raportin e besimit me lexuesit tanë”.
Domethënës edhe incidenti i shënuar gjatë seancës, kur aktivisti Johnie Mables tentoi ta godiste Murdokun me një pjatë të mbushur me shkumë rroje dhe pjesërisht ia arriti. Deputetët megjithatë duket se pak janë prekur nga argumentet e manjatit Australian, të paktën një pjesë e tyre. Një raport i komisionit për çështjet e brendshme, të cilin ‘The Guardian’ arriti ta siguronte përpara se të bëhej publik, del në përfundimin se ‘News International’ në mënyrë të qëllimshme është përpjekur të bllokojë hetimet e Scotland Yardit për përgjimet e ‘News of The World’.
“Ky raport shënon një dënim zyrtar të veprimeve të kompanisë së Murdoch-ut”, thotë ‘The Guardian’, ndërsa vetë policia akuzohet për një “katalog dështimesh”, siç thuhet shprehimisht në dokument.
Top Channel