Hetimi i zyrtarëve të lartë

20/07/2011 22:50

Publikimi i deklaratave të pasurisë së zyrtarëve të lartë të shtetit për vitin 2010 ka shënuar një përplasje të hapur mes Inspektoriatit të Lartë të Deklatrimit dhe Kontrollit të Pasusive me Prokurorinë e Përgjithëshme.

“Gjatë vitit 2010 Inspektoriati konstatoi se konstatimet tona nuk janë sanksionuar penalisht nga ana e prokurorisë. Në shumicën e rasteve ato mbyllen. Gjatë vitit 2010 është kjo situatë: 7 kallëzime penale janë dërguar në gjykim, 7 janë në shqyrtim dhe 4 janë mbyllur”, ka deklaruar kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla.

Deklarimi i zotit Llala u bë në komisionin parlamentar të ligjeve dhe menjëherë më pas ka reaguar Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Në zyrën e organit të akuzës ILDKP ka paraqitur gjithësej 18 kallëzime penale. Nga këto kallëzime, 6 kanë qenë për kryetarë komunash, 2 për doganierë, 3 për ish-doganierë, 1 ish-deputet, 1 ish-zevendësministër, 2 punonjës nga Drejtoria e Tatimeve, 1 punonjës nga Ministria e Transporteve, 1 regjistrues i Pasurive të Paluajtshme dhe 1 ish-përmbarues.

Nga këto 18 raste të paraqitura, në 5 prej tyre është vendosur mosfillim i procedimit penal, thuhet në njoftimin e prokuroisë, pasi nuk ishin konsumuar masat administrative më parë nga vetë ILDKP, për rastet kur subjektet nuk kishin pranuar të deklaronin pasurinë e tyre, parakusht i domosdoshëm për ushtrimin e ndjekjes penale.

Mbi këtë bazë prokuroria ka regjistruar 13 procedime penale, nga të cilat 9 janë cuar për gjykim duke ngritur akuzat ndaj zyrtarëve të kallëzuar, 3 janë pushuar dhe 1 është ende nën hetim.

Duke shprehur angazhimin maksimal në hetimet e këtyre rasteve, prokuroria thotë se, cdo material kallëzimi i paraqitur nga ILDKP është vlerësuar me seriozitet dhe ai ka marrë rrugën gjyqësore cdo herë që kanë ekzistuar elementet për të ngritur një akuzë penale ndaj subjekteve, si dhe është pushuar ndjekja penale në ato raste kur këto elemente në kuptim të ligjit nuk kanë ekzistuar.

Njoftimi mbyllet me një ftesë që prokuroria shqiptare i drejton Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive, që të fokusojë hetimin e tij administrativ drejt pasurive të zyrtarëve të nivelit të lartë të administratës publike, duke plotësuar në këtë mënyrë një nga detyrat që opinioni i BE për Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat, ka përcaktuar për institucionet shtetërore në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA