Europa, kriza tek dera

20/07/2011 15:30

Europa është zhytur tashmë në panik, pasi kriza e borxheve ka hyrë në një fazë të re, të cilën të gjithë donin ta shmangin.

Kriza e financave publike, deri tani e kufizuar vetëm në ekonomitë periferike të Bashkimit Europian, si Greqia, Spanja apo Portugalia, së fundmi po kërcënon Italinë. Fqinji ynë perëndimor është vendi i tretë me borxhin më të lartë në botë dhe i pari në Europë.

Shuma totale e borxhit publik të Italisë është 1.9 bilionë euro, shifër kjo tre herë më e lartë se sa borxhi total i Greqisë, Spanjës dhe Portugalisë të marra së bashku. Ekspertët thonë se tronditja e financave publike të Italisë tashmë ndryshon të gjitha parashikimet.

Nëse falimenti i mundshëm buxhetor i Greqisë, Spanjës apo Portugalisë do të shoqërohej me trazira në financat e Bashkimit Europian, rënia e Italisë kërcënon vetë ekzistencën e euros dhe madje edhe atë të BE-së. Situata ka shqetësuar tashmë edhe Fondin Monetar, i cili një ditë më parë parlajmëroi se tani bashkimi monetar i Europës është nën rrezik. FMN thotë se infeksioni europian i borxhit është ndoshta rreziku kryesor për ekonominë botërore. Për ekspertët mesazhi është i qartë: Po ra Italia, bie Europa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA