Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton ka përgëzuar Serbinë për arrestimin e të kërkuarit të fundit për krime lufte, Goran Haxhic.
“E mirëpres arrestimin e Haxhic. Kjo është një ditë e rëndësishme për qeverinë e Serbisë dhe për angazhimin personal të presidentit Tadic”, ka deklaruar Ashton.
Vlerësime kanë ardhur edhe nga kryeprokurori i gjykatës së Hagës, Serge Brammertz, sipas të cilit me këtë arrestim Serbia ka dëshmuar “angazhimin e saj serioz” në bashkëpunimin me Hagën.
Zëdhënësi i Brammertz, Frederik Svinen ka treguar për mediat listën boshe të urdhër-arresteve për të akuzuarit për krime lufte.
Ndërsa presidenti kroat, Ivo Josipovic e ka vlerësuar arrestimin si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet e mira fqinjësore Serbi-Kroaci. “Arrestimi është i vonuar.
Drejtësia e ngadaltë, por e arritshme. Shpresoj që gjykata e Hagës të bëjë një gjykim të drejtë”, është shprehur Josipovic.
Goran Haxhic akuzohet nga gjykata e Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kroaci, në luftën e viteve 1991-1995.
Top Channel