Protesta e fermerëve grekë, policia kufitare lajmëron bllokimin e aksit rrugor Kakavijë-Janinë për 3 orë Në përfundim të procesit zgjedhor, Bashkimi Europian shprehet se zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira. (UPDATE)
Këtë qëndrim të dy zyrtarëve më të lartë europianë që merren me Shqipërinë e lexoi vetë komisioneri për Zgjerim Shtefan Fyle, në përfundim të Këshillit të 3-të të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri.
“Unë jam i shqetësuar për situatën politike që vijon pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri dhe për shansin e humbur të Shqipërisë për të bërë progres thelbësor ndaj 12 prioriteteve kyce e sfidave për rrugën drejt Bashkimit Europian. Dua t’i theksoj 3 pikat në vijim, edhe në emër të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Cathy Ashton. Së pari, ne ndoqëm nga afër zgjedhjet lokale të 2011-ës dhe do t’ju citoj qëndrimin që u është shpërndarë. Ne shënojmë me shqetësim se ka patur debat e polarizim mbi vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor. Zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira pasi treguan përtej dyshimeve se kuadri zgjedhor duhet reformuar”, deklaroi Fyle.
Më pas, në qëndrimin e përbashkët, Ashton dhe Fyle përsërisin se parregullësitë në kuadrin ligjor dhe procesin elektoral duhet të adresohen në mënyrë konsensuale, efikase dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR nga zgjedhjet e 2007 deri tani.
BE mbështet iniciativën për opinion nga Komisioni i Venecias mbi shmangien e situatave të ngjashme elektorale në të ardhmen dhe pret që të gjitha forcat politike në vend ta mbështesin këtë iniciativë, në mënyrë që të dëshmojnë përpjekje serioze për kapërcimin e vështirësive që hasen në mbajtjen e zgjedhjeve së fundmi në 2011.
“Tashmë që Kolegji Zgjedhor ka përfunduar detyrën e tij është koha për forcat poitike në Shqipëri që të kapërcejnë ngërcin dhe të kthehen në një nivel të dialogut politik që mund të lejojë funksionimin e duhur të institucioneve kyce demokratike, sidomos parlamenti”, nënvizoi Fyle.
Kjo është hera e parë që Bashkimi Europian shprehet kaq qartë mbi zhvillimin e një procesi zgjedhor në Shqipëri, pa pritur raportin përfundimtar nga OSBE/ODIHR.
PERGATITI: Arta Tozaj
Top Channel