Protesta e minatorëve të Bulqizës që punojnë për kompaninë ACR është zhvendosur në Tiranë. Minatorët prej më shumë se dy javësh kanë ndërprerë punën dhe kanë paraqitur një seri kërkesash ekonomike për kompaninë koncesionare ACR dhe për Ministrinë e Ekonomisë.
Minatorët u mblodhën të hënën para këtij dikasteri për të protestuar dhe për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike dhe përmirësimin e kushteve e të sigurisë në minierë, brenda së cilës humbën jetën 16 minatorë.
Në protestën e minatorëve e ka marrë fjalën kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj.
Sipas tij, ministria po tregohet totalisht e papërgjegjshme dhe e pavëmendshme, pasi ajo i ka dhënë koncensionet me licensë dhe ka të drejtën e kontrollit të investimeve, moskryerja e të cilave ka dërguar në përkeqësimin e kushteve të punës, të pagës dhe të sigurisë.
Në mbrëmje minatorët u pozicionuan përpara Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, në krah të kryeministrisë. Tentativa për të ngritur një cadër i përballi me policinë.
“Deshëm një cadër, një batanije. Erdhi na ndaloi policia. Nuk na lanë as cadra, as kartona, asgjë”, ka deklaruar një prej tyre.
Mbi thasë apo kartona, ata thanë se janë të vendosur të qëndrojnë aty deri sa të takohen me kryeministrin Berisha.
“Këtu ne kemi ndërmend të rrijmë. Shkojmë tek Ministria e Ekonomisë, thotë se pikat tona janë të realizueshme. Shkojmë tek deputeti i zonës thotë se janë të realizueshme, vetëm kryeministri e bllokon këtë. Po nuk vendosi kryeministri ne nuk lëvizim”, është shprehur një tjetër.
Top Channel