Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar në rrugë zyrtare se të dërguarit e tij janë takuar me përfaqësuesit e kolonelit libian, Muammar Gaddafi.
Sipas DASH, diplomatët amerikanë u kanë përsëritur përfaqësuesve mesazhin se për SHBA koloneli duhet të heqë dorë nga pushteti.
“Zyrtarë amerikanë janë takuar me përfaqësues të regjimit, të cilëve u dhanë mesazhin e qartë se: mënyra e vetme për të ecur përpara është që Gaddafi të japë dorëheqjen. Kjo është e panegociueshme”, thuhet në një komunikatë.
Ndërkohë, qyteti libian i Bregës, të cilin rebelët deklarojnë se e kanë marrë nën kontroll, është ende në duart e forcave qeveritare.
Lajmin e ka bërë të ditur gjatë mbrëmjes zëdhënësi i regjimit, duke përgënjeshtruar kështu komunikimin e bërë më herët nga rebelët.
“Brega është plotësisht në duart e forcave tona, të ndihmuara nga tributë dhe vullnetarë. Deklaratat e të ashtuquajturit Këshill Kombëtar janë vetëm shpifje”, ka deklaruar Moussa Ibrahim, duke shtuar se rebelët kanë humbur 500 luftëtarë.
Top Channel