Rebelët libikë kanë njoftuar se kanë marrë nën kontroll Bregën, qytet naftëtar në lindje të vendit, prej ditësh objekt i një ofensive të të revoltuarve.
“Pjesa më e madhe e forcave të Gaddafi-t është tërhequr në Ras Lanuf”, ka deklaruar Shamsiddin Abdulmolah, një zëdhënës i rebelëve.
Sipas tij, në impiantin e naftës grupet e rebelëve kanë bllokuar rreth 200 besnikë të kolonelit. Por, para se të tërhiqeshin trupat ushtarake shpërndanë në impiantet e naftës mina anti-njeri.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka kritikuar sërish vendet e Perëndimit për mbështetjen e rebelëve.
“Njohja e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit nga ana e vendeve perëndimore do të thotë të marrësh pjesë në një luftë civile”, ka deklaruar Lavrov.
“Nëse bëhet fjalë për njohjen e KKT-së si autoritet legjitim, sic u bë gjatë mbledhjes së Grupit të Kontaktit në Stamboll, atëherë Rusia është kundër këtij pozicionimi”, ka shtuar Lavrov.
Top Channel