
Një ish-gazetar i “News of the World”, që bëri deklaratat e para për përgjimet telefonike të gazetës, është gjetur i vdekur.
Sean Hoare i kishte thënë “New York Times” se praktika ishte shumë më e gjerë nga sa thuhej kur policia nisi për herë të parë hetimet mbi këtë cështje.
Policia ka deklaruar se trupi i gazetarit u gjet në një pronë në Lengli Road, në Uotford, mëngjesin e sotëm.
Një zëdhënës i policisë ka bërë të ditur se rrethanat e vdekjes janë ende të paqarta.
“Në orën 10:40 të ditës së sotme policia u thirr në Lengli Road, pas shqetësimeve për shëndetin e një personi që jeton në një nga shtëpitë e rrugës”, ka deklaruar zëdhënësi.
“Pasi policia dhe ambulanca arritën në vendngjarje, u gjet edhe trupi i personit. Ai u shpall i vdekur në vendin ku u gjet vetëm pak minuta më vonë”, ka shtuar ai.
Zoti Hoare kishte deklaruar për BBC se përgjimi i telefonave ishte një fenomen “endemik” në redaksinë e “News of the World”.
Ai kishte thënë gjithashtu se redaktori i dikurshëm Andy Coulson i kishte kërkuar atij që të përgjonte telefonat, gjë të cilën Coulson e ka mohuar.
Top Channel