Vllaznia, Palermo nëse kalohet Thuni

16/07/2011 10:30

Tri skuadrat shqiptare që luajnë në Europa League kanë njohur kundërshtarët e mundshëm të turit të tretë eliminator.

Gjatë mesditës së djeshme, në Nion të Zvicrës u hodh shorti për fazën kur në garë hyjnë “big”-ët e ligave më të forta europiane. Mjafton të kujtosh se në turin e tretë, aktivitetit i shtohen Atletiko e Madridit, Fiorentina, Mainc, Hajduk, Stok Siti, Sparta Praga, Levski Sojfa, AZ Alkmar apo Palermo. Pikërisht këto tri skuadra të fundit mund të jenë rivalët potencialë të ekipeve shqiptare: goglat vendosën që Levski Sojfa të luajë me fituesen e çiftit Tirana-Spartak Trnava, AZ Alkmar me ekipin që kualifikohet në duelin Flamurtari-Jablonec dhe Palermo do të ketë përballë fituesen e çiftit Vllaznia-Thun.

Natyrisht që për sa i takon prestigjit të rivalit të mundshëm në turin tjetër, shorti ka qenë më intrigues për Vllazninë. Barazimi në ndeshjen e së enjtes në “Loro Boriçi” përballë Thunit është padyshim një rezultat pozitiv për shkodranët. Megjithatë, rezultati 0-0 në Shkodër bën që zviceranët të duken më të avantazhuar për t’u kualifikuar në sfidën e kthimit, edhe sepse luajnë në shtëpi.

Por, fakti që fituesja e këtij dueli do të ndeshet me skuadrën e Serisë A, e cila e mbylli kampionatin në vendin e tetë dhe ka në kontingjentin e saj yje si Mikoli e Pastore, mund të shërbejë si një motivim ekstra për skuadrën e drejtuar nga Mirel Josa. Përveç arritjes historike në turin e tretë, shkodranët do të kishin mundësinë të përballeshin sërish me një skuadër të rëndësishme të futbollit italian, pas sfidave me Napolin në vitin 2008 në Kupën UEFA. Ndeshjen e parë Palermo do ta luajë jashtë fushe, më 28 korrik, ndërsa takimi i kthimit do të zhvillohet më 4 gusht në stadiumin “Renco Barbera”.

“Si Vllaznia, ashtu edhe Thuni, janë dy kundërshtarë që nuk duhen nënvlerësuar, si për vlerën e lojtarëve, ashtu edhe për faktin se ata kanë më tepër kohë që përgatiten se ne. Por, për fatin e mirë, nuk na pret ndonjë transfertë e vështirë nga pikëpamja logjistike. Do të përballemi me shumë respekt, me cilëndo skuadër që do të jetë fituesja e çiftit Vllaznia-Thun, por edhe me shumë besim në forcat tona”, deklaroi zv.presidenti i klubit sicilian, Xhuljelmo Miçike. Edhe çështja e kualifikimit të Tiranës me Spartak Trnavën është e hapur. Bardheblutë nuk arritën më tepër se barazimi 0-0 në “Qemal Stafa”, megjithatë ata synojnë të kualifikohen në takimin e kthimit në Sllovaki.

Fituesja e këtij çifti do të përballet në turin e tretë eliminator të Europa League me Levski Sofjen, nënkampionen e Bullgarisë. Për fituesen e çiftit Flamurtarin-Jablonec projektohet një sfidë luksi me AZ Alkmar. Megjithatë, pasi humbjes 0-2 në takimin e parë në Vlorë, përballja me skuadrën holandeze do të mbetet vetëm një ëndërr.

Shorti i djeshëm ka zbuluar edhe kundërshtarët e mundshëm në turin e tretë të skuadrave ku militojnë futbollistët shqiptarë. Dinamo e Bukureshtit e Elis Bakajt do të ndeshet me fituesen ndërmjet moldavëve të Iskra Stal dhe kroatëve të Varazhdinit. Vorskla Poltava e Armend Dallkut dhe Ahmed Januzit është pranë kualifikimit përballë irlandezo-veriorëve të Glentoranit dhe kundërshtari i ardhshëm do të jenë Sligo Rovers nga Irlanda. Fituesja e çiftit Strejmur-Karabak, skuadër ku militojnë Admir Teli dhe Ansi Agolli do të luajë me belgët e Klub Bruzhit, ndërsa fituesja ndërmjet skuadrës së Elvin Beqirit, Kazar Lankaran dhe Makabi Tel-Aviv do të përballet në turin e tretë me fituesen e Zheljezniçar-Sherif.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA