Duro: Mos të shohim ëndrra me sy hapur

15/07/2011 12:45

Humbja 0-2 që Skënderbeu pësoi në Korçë përballë Apoelit nuk ishte
surprizë. Skuadra nga Nikosia ishte dukshëm më cilësore se kampionët e
Shqipërisë, me buxhet më të lartë dhe lojtarë më kualitativë.

Disfata në shtëpi, e cila ka bërë që “ujqërit e dëborës” praktikisht t’i japin lamtumirën Champions League është pranuar me realizëm nga trajneri Shpëtim Duro. Pasi deklaroi menjëherë pas ndeshjes së të mërkurës se e dinte që qipriotët do të fitonin, edhe me gjakftohtësi, drejtuesi i stolit mendon se rezultati nuk ishte surprizë. Madje, Duro e pranon eliminimin. “Edhe pse Apoeli ishte në avantazh 1-0, kisha ende shpresa. Gjatë atyre pak minutave përpara se kundërshtarët të dyfishonin, mendoja se mund të bënim diçka. Por, pas golit të dytë që na shënuan, tashmë mendoj se është e kotë të shohim ëndrra me sy hapur”, nënvijëzoi tekniku.

Por, më tepër sesa për rezultatin, Skënderbeu zhgënjeu me lojën e dobët që tregoi përballë mbi 12 mijë të pranishmëve, ku ishte thuajse inekzistente në fushë. Megjithatë, Duro nuk bën askënd fajtor: “Nuk kam asnjë vërejtje për skuadrën. Tentuam mrekullinë ndaj një skuadre që ishte dukshëm më e fortë se ne. Pavarësisht diferencave, ndeshja me Apoelin tregoi qartë se na duhet patjetër një qendërsulmues i mirë. Për sa i takon ndeshjes së kthimit shpresojmë që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë, sepse në fund të fundit, tashmë nuk kemi më asgjë për të humbur”. Takimi i kthimit në Nikozia do të luhet më 20 korrik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA