Një super-operacion kundër mafias kalabreze dhe trafikut të drogës të drejtuar prej saj është zhvilluar sot në Itali, Shtetet e Bashkuara, Spanjë dhe Holandë.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave nga hetimet e koordinuara nga prokuroria e antimafias, të nisura në vitin 2008, kanë përfunduar në pranga 40 persona.
Sipas burimeve, hetimet mundësuan gjithashtu sekuestrimin e qindra kilogramëve kokainë për llogari të klaneve kalabreze, të cilat më pas do t’i shpërndanin në veri të Italisë dhe jashtë shtetit.
Burimet nënvizojnë se operacioni nxorri në pah lidhjet e mafias kalabreze me kartelet kolumbiane të drogës dhe atë meksikan të Gjirit, që kontrollojnë fluksin e kokainës drejt SHBA dhe Evropës.
Droga dërgohej nga Amerika Latine dhe ajo Qendrore për në portin Xhoia Tauro të Kalabrisë, që sipas hetuesve është nën kontrollin e plotë të klaneve.
Burimet shtojnë më tej se shumica e të arrestuarve u ndaluan në Itali, ndërsa pjesa tjetër në Amerikë, Spanjë e Holandë, në bashkëpunim me policitë e këtyre vendeve.
Top Channel