Tirana, gati për edicionin e ri

12/07/2011 15:45

Në prag të ndeshjes së parë europiane me Spartak Trnavën, presidenti i Tiranës, Refik Halili në një konferencë për shtyp ka prezantuar risitë e këtij sezoni për skuadrën 24 herë kampione të Shqipërisë.

Tirana do të zbresë në fushën e lojës në këtë edicion me modelin e fanellës që ka luajtur në vitet ’80, atëherë kur quhej 17 Nëntori, por veç prezantimit të uniformës presidenti Halili ka prezantuar edhe disa nga lojtarët e rinj që i janë afruar bardhebluve, si Mahmudi, futbollisti nga Bahreini, i cili do të mbajë fanellën me numrin 10, apo dy afrikanët Etogo dhe Situma, ndërsa nga kampionati shqiptar Tiranës i është bashkuar kapiteni i Dinamos Pisha dhe një tjetër lojtar dinamovit si Ferraj.

“Këta janë futbollistë me emër, luajnë me kombëtaret përkatëse dhe do të bëjnë një grup të mirë për sezonin e ri”, u shpreh Halili.

Sa i përket ndeshjet me Spartak Trnavën, e vlefshme për raundin e dytë eliminator të kupës Europa League, ende nuk është sqaruar çështja e stadiumit “Qemal Stafa” e mbi të gjitha ajo e biletave.

“Nëse do të na lejojnë që biletat t’ i mbajmë ne, biletat karshi do të jenë me çmime shumë të arsyeshme sepse duam të afrojmë tifozerinë”, shtoi presidenti i Tiranës.

Ndeshja do të zhvillohet ditën e enjte në orën 20:00, në stadiumin “Qemal Stafa” dhe drejtuesit e klubit Tirana janë optimistë në arritjen e një marrëveshjeje me drejtuesit e stadiumit.

Ky do të jetë dhe debutimi i kësaj Tirane të re që sipas presidentit Halili do të jetë pretendentja kryesore sa i përket titullit kampion të këtij sezoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA