CIA përdori një program vaksinash falso në qytetin pakistanez të
Abotabadit, në përpjekje për të marrë një kampion ADN-je nga anëtarët e
familjes së Osama bin Laden.
Gazeta prestigjoze “The Guardian” thotë se agjentë të CIA-s rekrutuan një doktor pakistanez për të organizuar planin e vaksinimit.
CIA ka refuzuar ta komentojë lajmin, që vjen në dritë në një moment kur tensionet mes Islamabadit dhe Uashingtonit janë rritur.
Kreu i Al Kaedës u vra më 2 maj nga komandot amerikanë në kompleksin e tij rezidencial në Abotabad.
Që atëherë marrëdhëniet mes Pakistanit dhe SHBA janë tensionuar për shkak të dyshimeve të Uashingtonit se si njeriu më i kërkuar i planetit jetonte i qetë prej vitesh në një qytezë aq pranë Islamabadit.
Në kuadër të parapërgatitjeve të operacionit blic, agjentët e CIA-s rekrutuan doktorin Shakil Afridi për të organizuar vaksinimin në Abotabad, ku dyshohej se kryeterroristi fshihej.
Top Channel