Gaddafi i rikthehet kërcënimeve ndaj Europës. “Do të ndërsej martirët kundër jush”, tha lideri libian në një mesazh audio të transmetuar një ditë më parë nga televizioni shtetëror.
Në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve të NATO-s, qindra libianë të gatshëm për vetëflijim mund të nisen, sipas tij, në drejtim të objektivave europianë.
“Ta keni të qartë, regjimi nuk do të bjerë. Aleanca bën mirë t’i ndalojë sulmet e saj. Ne jemi njerez që e adhurojmë martirizimin. Dhjetëra, qindra apo mijëra libianë do të martirizoheshin në Europë, fëmijët, shtëpitë, gratë e europianëve do të vihen në shenjestër ashtu siç jemi shenjestruar ne. Sy për sy, dhëmbë për dhëmbë, këtë ju them. Megjithatë, do t’u japim shansin t’i thërrisni mendjes, por ky shans nuk do të zgjasë shumë. Ata shkatërruan Mesdheun, shkatërruan paqen në botë dhe ajo që duan është thjesht një kryqëzatë tjetër mes lindjes dhe perëndimit, mes myslimanëve dhe të krishterëve”, është shprehur Gaddafi.
Paralajmërimi i tij vjen në një kohë manifestimesh në favor të liderit libian kur mijëra mbështetës i drejtohen Sheshit të Gjelbërt të Tripolit, më i rëndësishmi në kryeqytet, për lutje në masë.
E gjithë kjo ndodh në momentin kur funksionarët europianë po përgatisin planet për përmirësimin e kontakteve me rebelët.
Tubimet e fundit pasojnë një manifestim madhor të mbajtur javën e kaluar po në të njëjtin vend, që sipas mediave të huaja, demonstron përkrahjen e qenësishme që Gaddafi vazhdon të gëzojë tek një pjesë e popullsisë.
E premtja është për myslimanët ditë lutjesh dhe zakonisht, në Lindjen e Mesme, është rasti më i mirë për organizimin e protestave të mëdha.
Top Channel