Lorik Cana mahnit tifozët e Lacios, që prej stërvitjes së parë. Skuadra
italiane nisi zyrtarisht sezonin 2011-2012, me fazën përgatitore.
Rreth orës 10:30, futbollistët dhe stafi teknik u nisën nga aeroporti “Leonardo da Vinçi” i Fiumiçinos drejt Venecias. Pas një ore udhëtim të qetë, bardhekaltërit u bashkuan me trajnerin Edi Reja, që i priste në këtë qytet dhe më pas udhëtuan me autobus drejt Auronco di Kadore, lokalitetit në krahinën e Venetos, ku do të stërvitet deri më 23 korrik.
Cana udhëtoi së bashku me skuadrën dhe blerjet e tjera të kësaj vere, Klose, Luliç, Marketi e Konko. Në stërvitjen e parë, të zhvilluar dje pasdite, të pranishëm ishin afro 100 tifozë. Emocionet më të forta ishin për 27-vjeçarin kuqezi dhe sulmuesin e Kombëtares gjermane, Klose, të cilët ishin dy blerjet më të bujshme.
Mes grumbullimit, udhëtimit dhe pritjes së tifozëve, për mesfushorin shqiptar gjithçka ka qenë perfekte. Por, duhet theksuar se vështirësitë dhe pasiguria e vërtetë u regjistruan gjatë mbrëmjes së të mërkurës.
Fillimisht Cana nuk ishte pjesë e listës së lojtarëve që do të niseshin për grumbullimin e parë të Lacios. Mungesa u shkaktua prej faktit që Muslera ende nuk kishte firmosur për Gallatasarain. Megjithatë, çdo gjë u zgjidh në mbrëmje, kur në Formelo mbërriti autorizimi i nevojshëm nga Turqia.
Cana, i cili gjatë paradites zhvilloi edhe një “seksion” të dytë të vizitave mjekësore, më në fund iu bashkua grupit. Edhe pse tashmë pritet vetëm prezantimi, “luftëtari” mund të quhet zyrtarisht një prej blerjeve të Lacios në merkato. Debutimi i tij me skuadrën pritet të ndodhë më datë 20, në miqësoren kundër Luzernës së Jahmir Hykës. Ndërsa ndeshja e parë zyrtare e bardhekaltërve do të jetë më 18 grusht në fazën “play off” të Europa League.
Top Channel