
Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh është shfaqur në televizion, për herë të parë që kur mbeti i plagosur rëndë në një sulm ndaj pallatit të tij muajin e kaluar.
Ai nuk i lëvizte krahët e tij dhe të dyja duart i kishte të lidhura me fasho.
Saleh i është nënshtruar një trajtimi mjekësor në Arabinë Saudite që prej 6 qershorit, pas sulmit ndaj selisë presidenciale, që sipas autoriteteve u krye më një bombë.
Në fjalimin e tij të transmetuar nga televizioni publik jemenas, presidenti tha se duhet dialog për të zgjidhur problemet e Jemenit.
Ai u shpreh se e mirëpret ndarjen e pushteteve, por theksoi se kjo gjë duhet të bëhet brenda kapaciteteve të Kushtetutës dhe ligjit.
Duke folur për plagët e tij, Saleh pranoi se i është nënshtruar më shumë se tetë operacioneve “të suksesshme”.
“Kisha djegie për shkak të aksidentit. Pati gjithashtu një seri operacionesh për shumë zyrtarë, si kryetari i Parlamentit, kryeministri, zëvendësi i tij dhe guvernatori i Sanas. Mbi 87 persona mbetën të plagosur”, tha Saleh.
Saleh ndodhet ende për mjekim në Arabinë Saudite, pavarësisht spekulimeve në Jemen se ai mund të kthehet shumë shpejt në vendin e tij.
Top Channel