Në ndeshjen e grupit C, në turneun Kupa e Amerikës, Kili ka tejkaluar Meksikën me rezultatin 2-1, përpara 20 mijë tifozëve që kishin kaluar Andet për në San Huan, në Argjentinë.
Të udhëhequr nga ylli Sanchez, kilienët zotëruan topin gjatë pjesës më të madhe të lojës, por u ndodhën në dizavantazh në fund të pjesës së parë, për shkak të një goli me kokë të Araujo. Por në pjesën e dytë, Paredes dhe më pas Vidal përmbysën rezultatin.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të të njëjtit grup ka zhgënjyer Uruguai. Ashtu si Brazili dhe Argjentina, fuqia e tretë më e madhe e turneut nuk ka arritur të shkojë përtej barazimit, edhe pse me një kundërshtar më të dobët.
“Të kaltrit” barazuan 1-1 me Perunë. Roli prej lideri i Diego Forlan, që në botërorin e Afrikës së Jugut u vlerësua si lojtari më i mirë, nuk mjaftoi për të mundur Perunë, pak teknike por e vendosur mirë në fushë dhe e patrembur nga kundërshtarët.
Top Channel