Deklarimet e liderit të opozitës Edi Rama të bëra dje në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe cështjet e brendëshme të kësaj force politike janë bërë objekt komentesh nga Partia Demokratike.
Përmes deputetes Mesila Doda, selia blu ka kundërshtuar vendimet e marra nga PS, ndërsa ka sulmuar edhe grupet e punës të ngritura për reformimin e programeve të Partisë Socialiste.
“Shqiptarët kanë patur mundësi për 8 vite rresht të shohin manaxhimin ekonomik të ish-ministrit Angjeli, se cdo të thotë program politik e zhvillim ekonomik i bazuar në korrupsion, monopole pushtetarësh dhe një varfëri ekstreme të pjesës dërrmuese të popullsisë. Shqiptarët kanë patur mundësi të shohin dhe të ndjejnë në kurrizin e tyre se cdo të thotë të kesh paga dhe pensione minimale që nuk u rritën kurrë dhe mbeten në nivelin e ulët”, tha deputetja Doda.
Ndërsa zëdhënësja e shtabit të zotit Basha, zonja Jorida Tabaku është shprehur se Edi Rama me akuzat për manipulim synon diskreditimin e rezultatit të zgjedhjve në Tiranë.
“1 milion 600 mijë shqiptarë votuan në këtë proces zgjedhor dhe zëri i tyre u dëgjua. I gjithë komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga partitë politike që të presin me maturi përfundimin e procesit zgjedhor si dhe të pranojnë vendimet e institucioneve të pavarura pa i cënuar këto të fundit. Por ndryshe nga këto, zoti Rama, nga njëra anë, se do të bojkotojë bojkotin dy vjecar dhe se nuk do ta përdorë më votën e zgjedhësve për të bllokuar, ndërkohë që nga ana tjetër vazhdon të ushtrojë trysni ndaj institucioneve të pavarura të vendit. Ai dje në Asamblenë e PS-së, sulmoi haptas Kolegjin e parë Zgjedhor, pranoi përgjysmë vendimin e Kolegjit të dytë Zgjedhor dhe deklaroi haptas se nuk do të njohë vendimin e Kolegjit të tretë Zgjedhor nëse nuk është në favor të tij”, deklaroi nga selia blu Jorida Tabaku.
Top Channel