Internacionalja përkrah PS

02/07/2011 19:55

Internacionalja Socialiste ka shprehur shqetësimin e saj lidhur situatën politike në Shqipëri.

Nga Athina, ku u zhvillua dhe asambleja e radhës e organizmit më të rëndësishëm të së majtës botërore, Internacionalja Socialiste ka bërë thirrje për përfundimin e krizës politike që ka filluar që në vitin 2009 dhe vazhdon ende.

Në rezolutën përfundimtare të asamblesë së Internacionales Socialiste shkruhet:

“Rezultatet e zgjedhjeve lokale të 8 majit, treguan një sukses të madh të Partisë Socialiste, e cila fitoi në qytetet më të mëdha të vendit. Internacionalja ndoqi me interes situatën e krijuar në Tiranë, ku proçesi i numërimit të votave, konkludoi me fitoren e kryetarit të PS-së, Edi Rama përballë konkurentit Lulzim Basha. Internacionalja Socialiste vlerëson se vendimi i KQZ për ri-numërimin e votave të hedhura gabim, nuk është i bazuar në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë, ndërsa Kolegji Zgjedhor ka treguar pavendosmëri në këtë rast”.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste Taulant Balla, bëri një prezantim të atyre që Partia Socialiste i quan prova të manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri.

“Ne kemi paraqitur para gjithë këtyre përfaqësuesve të lartë të vendeve të BE dhe vendeve të tjera pjesëmarrësve prova të gjallë të manipulimit të proçesit zgjedhor gjatë numërimit, në tentativën për të ndryshuar në tavolinë fitoren e PS-së në Tiranë dhe një fitore të madhe të PS-së në të gjithë Shqipërinë. Internacionalja Socialiste përshëndeti këtë fitore dhe mbështeti qendrimin e PS-së për të mos pranuar këtë manipulim në tavolinë të rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë. Internacionalja Socialiste mbështeti fitoren e Edi Ramës në Tiranë ashtu siç e pa e gjithë bota gjatë numërimit të proçesit dhe kundërshtoi ashpër të gjitha këto tentativa manipulimi duke i bërë thirrje përmes një rezolute të veçantë që edhe kolegji zgjedhor t’i japë fund pavendosmërisë për drejtësi, por të bëjë drejtësi në këtë vendimarrje duke i dhënë fitoren PS-së dhe Edi Ramës”, tha Balla.

Zoti Balla tha se Partisë Socialiste po i vidhet fitorja në tavolinë, ndaj dhe informoi partnerët e ndërkombëtarë të Partisë Socialiste lidhur me situatën në vendin tonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA