Pas shumë përpjekjeve të vazhdueshme, më në fund BERZH dhe IFC, dy degë tregtare të Bankës Botërore, kanë pranuar t’i japin kredi me vlerë 100 milionë euro CEZ-it, kompanisë çeke që furnizon me energji mbi 1 milion abonentë.
Lajmin e ka dhënë i pari BERZH (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim), për njërin këst të kredisë, 50 milionë euro, dhe më pas është konfirmuar nga CEZ Shpërndarje.
Më pas, edhe zyra e IFC-së (Korporata Financiare Ndërkombëtare) në Tiranë ka zyrtarizuar pjesën tjetër të kredisë së akorduar, duke e çuar totalin në 100 milionë, aq sa kishte kërkuar CEZ.
Të dyja institucionet financiare kanë negociuar bashkarish me të njëjtat kushte për termat e kredisë, ndërsa nuk bëhet e ditur norma e interesit.
“BERZH shpreh kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes së financimit, mbështetje kjo që i vjen kompanisë CEZ për të modernizuar rrjetin dhe të rrisë shërbimin ndaj konsumatorëve sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Nandita Parshad, përgjegjëse e sektorit të energjisë, pranë bankës.
CEZ ka afat 12 vjet për të shlyer kredinë dhe për ta realizuar objektin u ka ofruar dy bankave garanci të forta, ku më kryesorja është rritja e të ardhurave nga arkëtimi i faturave të dritave.
Top Channel