Berisha: Rruga sjell zhvillim

02/07/2011 20:10

Ndërtimi i infrastrukturës rrugore do të vazhdojë të jetë prioritet kryesor për qeverinë e kryeministrit Berisha, i cili, me pjesëmarrjen e tij në inaugurimin edhe të segmenteve të shkurtra rrugore kërkon të tregojë rëndësinë që ka zhvillimi i infrastrukturës.

Megjithëse është vetëm 7 kilometra, rruga që lidh Ballshin me komunën Aranitas, sipas kryeministrit Berisha, është segment i përpjekjes së qeverisë për të urbanizuar fshatrat e vendit dhe për të siguruar zhvillim të qendrueshëm.

“Ne jemi të sigurtë se rrugët që ndërtohen sjellin në vetvete pas tyre zhvillimin, sjellin pas zhvillimin e këtyre zonave, sjellin rritjen e vlerës së tokës kudo që ato kalojnë, shkurtojnë dhe kursejnë kohën që është më e çmuara për çdo qytetar të këtij vendi, ndihmojnë tregun dhe lehtësojnë nxjerrjen e prodhimeve në treg , por rrugët e mira janë dhe dinjitet janë të domosdoshme që qytetarët e këtij vendi të udhëtojnë në rrugë njësoj si qytetarët e tjerë të vendeve evropiane”, tha Berisha.

Me banorët e komunës Aranitas, që i përkasin zonës së Mallakastrës, kryeministri Berisha ngriti si çështje shumë të rëndësishme për zhvillimin, mbjelljen e ullinjve dhe drurëve frutorë.

“Në rrethin tuaj, kapaciteti për rrënjë ulliri është të paktën 5 herë më i madh se nga ato që ekzistojnë sot. Ndaj, unë ju bëj thirrje që me ambicie të madhe, me dashuri të madhe të mbillni ullinj. Ju garantoj se qeveria do të financojë për çdo fidan që do të mbillni. në çdo financim që do të bëjë, në çdo projekt ne duhet të parashikojmë dhe mbjelljen e drurëve frutorë, si një nga mekanizmat më të sigurte për tu ndarë njëherë e përgjithmonë nga varfëria e pamerituar që keni përjetuar, si rruga më e sigurte për të konkurruar në tregun e madh evropian”, theksoi kryeministri.

Berisha u garantoi pushtetarëve lokalë mbështetjen e qeverisë për financimin e çdo projekti, që përmirëson jetën e shqiptarëve në qytet dhe në fshat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA