Fenomeni pushtimit të plazheve dhe detit me ndërtime pa leje dhe tërësisht jashtë normave ka prekur edhe Orikumin.
Në zonën ranore të këtij plazhi, pjesa më e madhe e të cilit është tokë private ka ndërtime pa leje, jashtë kritereve dhe shumëkatshe që nuk lejohen të ndërtohen në këtë zonë.
Megjithatë godina si këto janë ndërtuar në këtë zonë duke sfiduar hapur autoritetin e shtetit.
Përveç godinave si këto në këtë zonë kanë nisur të shfaqen kioskat si dhe minimolet që kanë shkatërruar vijën bregdetare në këtë pjesë të gjirit të Vlorës.
Ndryshe nga zona tjetër e bregdetit ku pushteti vendor nuk po merr masa për të vendosur rregull me ndërtimet dhe për të penguar ata që po dëmtojnë plazhet dhe detin, në Orikum kryebashkiaku i ri i cili sapo ka marrë detyrën premton se do të rrëzojë të gjitha këto godina pa leje dhe do të pastrojë zonën e plazhit dhe të detit.
Situata duket se është bërë shqetësuese edhe për turistët që frekuentojnë këtë plazh për veçantinë e tij si një plazh ranor ndryshe nga pjesa tjetër shkëmbore. Edhe ata kërkojnë ndërhyrje.
Situata me ndërtimet është rënduar veçanërisht në nisje të fushatës elektorale dhe deri më tani kur shumë nga kryekomunarët dhe kryebashkiakët nuk kanë nisur punën pas zgjedhjeve.
Mungesën e autoritetit shtetëror e kanë shfrytëzuar shumë persona që po pushtojnë hapësira private dhe publike me ndërtime që po e degradojnë bregdetin e gjirit të Vlorës.
Top Channel