Topi: Serbia të pranojë realitetin

30/06/2011 13:05

Në Shën Stefan të Malit të Zi u zhvillua samiti i presidentëve të shteteve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP).

Por në samit nuk ishte e ftuar presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Por presidenti shqiptar, Bamir Topi deklaroi se cdo qëndrim refuzues ndaj shtetit të ri të Kosovës, sidomos në nismat e përbashkëta rajonale, cënon parimet e bashkëpunimit.

“Kosova është një shtet i ri, një realitet i ri, i cili duhet pranuar e mbështetur nga të gjitha nismat dhe forumet ndërshtetërore rajonale dhe më gjerë. Cdo qëndrim tjetër refuzues, sidomos në nismat e përbashkëta rajonale, cënon parimet tona të bashkëpunimit dhe u imponon vendeve anëtare të rishohin përparësitë e tyre në angazhimet rajonale”, deklaroi Topi.

Presidencën e radhës të kësaj nisme do ta marrë Serbia, ndaj presidenti Topi pati një mesazh të posacëm edhe për homologun Tadic.

“Shqipëria inkurajon dialogun e nisur midis Prishtinës e Beogradit dhe shpreson shumë që përmes tij të pranohen realitetet e reja politike e shtetërore në rajon, për të ndërtuar urat e bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve fqinje që aspirojnë ashtu si edhe ne, integrimin euro-atlantik. Shqipëria vlerëson se cdo ide apo teori tjetër, që e sheh të ardhmen e Kosovës apo ndonjë shteti tjetër ballkanik në skenarë ndarjeje apo përjashtimi, mbetet e papranueshme dhe çfarë është më e rëndësishme, mbetet burim destabilizimi për vetë rajonin”, nënvizoi Topi.

Duke vijuar në të njëjtën linjë të sigurisë rajonale, presidenti Bamir Topi vuri në dukje faktin se Shqipëria mbështet jo vetëm hyrjen e Maqedonisë në NATO, por edhe të Malit të Zi.

Ndërkohë që një ditë më parë, pak metra nga Shën Stefani, në Budva, u organizua një takim i Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut, ku krahas të ftuarve të tjerë mori pjesë ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, por jo ministri i jashtëm serb Vuk Jeremic.

Në takimin e Komisionit të Partneritetit për herë të parë mori pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Atltantikut të Veriut, Anders Fogh Rasmussen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA