Më shumë se 30 kompani izraelite shoqëronin në këtë aktivitet zv/kryeministrin e Izraelit, Avigdor Lieberman, kompani që shfaqën interes në fusha të tilla si turizmi, energjetika apo bujqësia bën të ditur gazeta “Shqip”.
Përballë përfaqësuesve të këtyre kompanive nuk ishin ulur vetëm sipërmarrësit shqiptarë, por dhe ata të Kosovës dhe Maqedonisë që erdhën në Shqipëri për këtë forum biznesi.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolon Jaka, në fjalën e tij të mirëseardhjes, kërkoi nga investitorët izraelitë të jenë të fokusuar në vendin tonë dhe të vendosin marrëdhënie bashkëpunuese me kompanitë shqiptare.
Një moment të rëndësishëm të takimit, zoti Jaka cilësoi dhe faktin se tashmë Shqipëria mund të konsiderohet pika më e rëndësishme e rajonit. “Në këtë takim të sotëm nuk jemi vetëm ne sipërmarrësit shqiptarë të ulur përballë atyre izraelitë, shumë kolegë tanët kanë ardhur nga Kosova apo Maqedonia. Tashmë Shqipëria është porta hyrëse dhe orientuese jo vetëm për një treg tre milionësh, por për të gjithë rajonin. Kjo dëshmohet qartë dhe në këtë takim të sotëm që konsiderohet si një mundësi e artë për të vendosur ura bashkëpunimi konkrete në fusha që kanë një interes të veçantë, si turizëm, bujqësi apo energjetikë”, u shpreh ai në fjalën e tij.
Top Channel