Skandali seksual që ka përfshirë kombëtaren meksikane, ka përfunduar me përjashtimin e 8 futbollistëve për 6 muaj nga çdo aktivitet ndërkombëtar të përfaqësueses së tyre, duke filluar nga Kupa e Amerikës që do të startojë më 1 korrik.
Disa futbollistë kanë lejuar hyrjen në një hotel të Kuitos të disa femrave, që sipas mediave meksikane, ishin prostituta.
Mësohet gjithashtu se pas largimit të tyre, janë deklaruar të humbura një shumë parash dhe disa materiale elektronike.
Shkelja e rregullave nga ana e futbollistëve të Meksikës erdhi pas fitores 1-0 të tyre ndaj përfaqësueses ekuadoriane.
Drejtuesit e hotelit ku është grumbulluar kombëtarja meksikane, kanë hedhur poshtë përgjegjësinë për këtë veprim të lojtarëve meksikanë dhe për humbjen e sendeve me vlerë.
Përfaqësuesi i federatës meksikane të futbollit Hector Gonzalez Inarritu, ka deklaruar se nuk do të lejohet asnjë shkelje e rregullave.
Kjo gjë ndodh vetëm 1 javë para fillimit të kampionatit, ka pohuar Inarritu.
Vendimi i marrë nuk ishte i lehtë, por të gjithë duhet të kuptojnë se rregullat janë shumë të rëndësishme.
Federata ka filluar ndërkohë proçedurat për zëvendësimin e tyre me 8 lojtarë të tjerë.
Kjo është hera e dytë që kombëtarja meksikane përfshihet në një skandal me sfond seksual.
Shtatorin e vitit të kaluar 11 futbollistë, mes të cilëve Carlos Vela i Arsenal dhe Efrain Juarez i Celtic u skualifikuan po 6 muaj pas një feste me prostituta dhe tranvestitë.
Ndërkohë muajin e kaluar 5 lojtarë të kombëtares shpresa të këtij shteti i përjashtuan nga kupa “Gold Cup” pasi dolën pozitiv në testin antidoping.
Top Channel