Freedom House: Shqipëria, hapa prapa

29/06/2011 00:55

Raporti i Freedom House për vitin 2011 i shtohet raporteve të zymta të ndërkombëtarëve për Shqipërinë.

Raporti në fjalë nënvizon krizën politike, mungesën e dialogut, dështimin me reformat dhe përkeqësimin e klimës në vend për shkak të mungesës së dialogut.

Ashtu sikurse thekson edhe përkeqësimin e klimës së mediave, duke evidentuar gjobën e paprecedent ndaj Top Channel pas denoncimit në Fiks Fare të aferës ku një ministër kërkonte favore seksuale në këmbim të punësimit.

“Shqipëria nuk mundi të fillojë negociatat për statusin kandidat për në Bashkimin Europian sepse nuk përmbushi disa përparësi të nevojshme për një vend demokratik. Pengesë e vazhdueshme u bë kriza politike lidhur me hetimin e zgjedhjeve të 2009-s”, thuhet në raportin e Freedom House.

Garantimi i sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit mbetet një sfidë, reforma juridike vazhdon të jetë e papërfunduar dhe nuk është bërë përparim në rishikimin e disa ligjeve më të rëndësishme. Miratimi i këtyre ligjeve, thotë Freedom House, u dëmtua rëndë nga mungesa e Partisë Socialiste në parlament.

Sa për median, Freedom House vëren përparim me teknologjinë, megjithatë edhe në 2010-n mungesa e pavarësisë dhe transparenca e burimeve financiare si dhe varësia e gazetarëve tek pronarët kanë vazhduar të përbëjnë shqetësim.

Raporti përmend faktin se qershorin e vitit 2010, Gjykata e Tiranës gjobiti Top Channel me 400 mijë euro për shkelje të privatësisë së ish-ministri të Kulturës, Ylli Pango pas skandalit që shkaktoi publikimi i videos ku ministri kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

“Vendimi shënonte gjobën më të lartë të vendosur ndonjëherë kundrejt një media në Shqipëri dhe u konsiderua i tepruar si dhe një kërcënim për gazetarinë investigative në vend”, thotë Freedom House.

Sa për korrupsionin, Freedom House vëren se ai vazhdon të jetë mbizotëruar në të gjithë sektorët të jetës në Shqipëri duke ndikuar negativisht zhvillimin ekonomik të vendit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA