Duke filluar nga muaji korrik qeveria do të rrisë rrogat dhe pensionet
në përputhje me parashikimin. Kjo e bë e ditur nga kryeministri Berisha
në mbledhjen e qeverisë.
“Kryefjala e kësaj mbledhjeje do të jetë rritja e rrogave dhe pensioneve. Pas shqyrtimit të gjithë problematikës buxhetore dhe buxhetit është vendosur që të rriten rrogat e pensionet, në përputhje me parashikimin. Kjo si një politikë e domosdoshme, si një investim, së pari, në burimet njerëzore, por edhe si ndjeshmëri ndaj 520 mijë pensionistëve shqiptarë, të cilët meritojnë të marrin shumë më tepër nga ç’është e mundur”, tha Berisha
Ndonëse nuk u tha prej kryeministrit, jo zyrtarisht mësohet se kjo rritje pritet të jetë 5-6 % për rrogat, 4% për pensionet në qytet dhe 7% për pensionet në fshat. Kryeministri pranoi se ka pasur këshillë miqësore nga FMN për t’i ngrirë rrogat dhe pensionet dhe për të rritur 50% taksën e sheshtë. Por nuk ka një marrëveshje, tha kryeministri. E vetmja marrëveshje me FMN-në, sipas kryeministrit, është ajo për mosrritjen e borxhit, të cilën qeveria ka ndërmend ta respektojë
“Nuk ka një cenim të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por ka respektim rigoroz të marrëveshjes me të. Ne nuk kemi deklaruar kurrë që nuk do të rrisim rrogat”, tha Berisha.
Kryeministri e cilësoi rritjen e rrogave dhe pensioneve si një përparësi absolute, kurse mbajtjen e taksave të ulta për biznesin, si promotor të zhvillimit ekonomik .
Top Channel