PS: Faktuam manipulimin në Tiranë

28/06/2011 19:55

Mospërputhja e numrit të votuesve me atë të fletëve të gjetura në kuti për të cilat Partia Socialiste pretendon se është një manipulim që ka cënuar proçesin zgjedhor në Tiranë, është faktuar në mënyrë të pakontestueshme, sipas opozitës, falë pamjeve filmike gjatë numrimit në KZAZ.

Filmimet i janë vënë në dispozicion kësaj force politike nga KQZ pas një kërkese zyrtare.

Siç edhe Top Channel raportoi të hënën, një ekip i përzgjedhur nga PS, me matematicienë, juristë dhe ekonomistë kanë kaluar në skaner të gjitha filmimet e qendrave të votimit dhe kanë faktuar mospërputhjen votues-fletëvotimi.

Kjo mospërputhje, që sipas opozitës kompromenton rëndë parimin kushtetues “një zgjedhës një votë”, për Partinë Socialiste është haptas një manipulim nga ku u prodhuar rezultati 93 vota plus për kandidatin demokrat Lulzim Basha.

Nga mbledhja e të tilla fakteve, socialistët thonë se marrin përgjigje disa pyetje: Përse nuk përputhen proçes-verbalet e nxjerra pas numërimit, të filmuar të çdo qendre votimi me rezultatin përfundimtar të tabuluar nga KQZ? Ishte gabim njerëzor në hedhjen e fletëvotimit në kutinë e gabuar apo jemi përballë një manipulimi të pastër zgjedhor, që në vetvete përbën vepër penale?

Në qendrën e votimit 1758 në njësinë numër 3 numri i zgjedhësve është 677, ndërsa fletët e e gjetura në kuti është 679, pra dy fletë votimi më shumë se zgjedhës.

Kur KQZ nisi hapjen e kutive me urdhër të kolegjit më 13 qershor, në kutinë për kryetar bashkie gjen 17 fletë të pavlefshme ku 2 prej të cilave nuk i përkasin kutisë për kryetarin duke i çuar ato në kutitë përkatëse dhe shënuar më pas në tabelën e KQZ-së. Me këtë veprim KQZ përmbushi urdhërin e Kolegjit Zgjedhor, duke ballancuar numrin e zgjedhësve 677, me fletët e votimit 662 të vlefshme dhe 15 të pavflefshme.

Rezultati real është me 677 vota, fiksuar edhe në kamerën e KZAZ 47, tavolina numërimit Nr.2 në orën 02:16, që përmbush parimin kushtetues 1 zgjedhës 1 votë.

Me hapjen e 3 kutive të tjera në KQZ, gjenden 6 fletë të verdha për kryetar bashkie 2 për zotin Rama dhe 4 për zotin Basha.

KQZ këto 6 vota ja ka bashkangjirur 677 votave duke e ndryshuar, rezultatin e kësaj qendre votimi në 683.

Gjashtë vota më shumë se numri votuesve dhe votave të numëruara dhe filmuara në këtë KZAZ.

Për këto 6 vota Partia Socialiste thotë se ato janë futur jashtë proçesit duke deformuar vullnetin e zgjedhësve.

Nga pamjet filmike gjatë numërimit që mbajnë datën 11 maj, ora 21:28 të qendrës së votimit 1941 në KZAZ Nr.52, njësia 8, kamera ka fiksuar të numërohen 517 fletë të verdha, për kryetar bashkie, po aq sa numri zgjedhësve nga ku 501 vota janë të vlefshme dhe 16 të pavlefshme.

Këto shifra ndryshojnë pas hapjes së kutive të tjera, në KQZ ku janë gjetur 4 fletëvotimi për kryetar bashkie që të katërta për kandidatin Basha.

Votat i janë bashkangjitur rezultatit të filmuar, 517 vota të gjetura në kuti.

Në tabelën përfundimtare për këtë qendër votimi KQZ më 23 maj, miraton rezultatin 521 vota ose 4 më shumë se numri zgjedhjeve, pa dhënë shpjegime se nga ku kishin ardhur këto vota, kur filmimi KZAZ-s tregon se numërimi mbyllet me 517 vota të pasqyruara në proçes verbal.

Partia Socialiste thotë se të tilla probleme janë evidentuar në 40 qendra votimi të cilat do të jenë pjesë e provave që do të përdoren gjatë fazës ankimore në KQZ, Kolegjin Zgjedhor dhe që, sipas saj, vërtetojnë manipulimin e proçesit, madje do t’i dërgohen edhe Prokurorisë.

Shtimi i numrit të votave në mënyrë ende të pashpjegueshme nga KQZ-ja, sipas opozitës, ka prodhuar nonsenset llogjike të shifrave në tabelën përmbledhëse të cilat nuk përputhin numrin e votave më atë të votuesve.

Një shkelje e pastër, deklarojnë socialistët, e parimit kushtetues një votues një votë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA