Për Shtetet e Bashkuara luftrat në Afganistan dhe Irak kanë kushtuar shumë. Ish-gjenerali në pension Steve Anderson përmes një përllogaritjeje ka dalë në konkluzionin se vetëm shpenzimet për ajrin e kondicionuar kalojnë buxhetin e parashikuar për NASA-n, prej 20.2 miliardë dollarësh apo 14 miliardë eurosh.
Çdo luftë i nënshtrohet lentes së ushtrive apo qeverive, duke iu referuar armëve me të reja të përdorura, municioneve, aparaturave, bazave ushtarake, veshjeve, pajimeve të ushtarëve apo pagesave të tyre.
Kësaj here, gjenerali në pension i jep përgjigje pyetjes se sa u kushton trupave amerikane të mos djersijnë.
Mbi të gjitha, çmimi i benzinës, që shërben për aparaturat që freskojnë ajrin është rritur, sipas tij.
Duke folur për emisionin “All Things Considered” të National Public Radio, ai nxjerr një shumatore të transportit të karburantit, masave të sigurisë dhe infrastrukturës së nevojshme, që rezulton mbi 20 miliardë dollarë.
Ky bilanc, sipas tij, është më i madh se ai i NASA-s, agjencisë amerikane të hapësirës, edhe më shumë seç ka paguar kompania e naftës BP për katastrofën që u shkaktua pas shpërthimit të platformës së naftës, Deep Water Orizont, në Gjirin e Meksikës.
Për të ushqyer një kondicioner, në një zonë të largët në Afganistan duhen mbi 3 litra karburant që vjen me anije nga Karaci në Pakistan.
Më pas ngarkesa udhëton në Afganistan për 18 ditë në 1300 km rrugë, në zona të largëta dhe të vështira, duke mos llogaritur këtu rreziqet e vazhdueshme që lidhen me transportin e karburantit në ato rrugë.
Sipas ish gjeneralit, më shumë se 1 mijë ushtarë amerikanë kanë mbetur viktima, pasi karvanët që transportonin karburant, u vunë në shenjestër të militantëve.
Top Channel