Rruga Rreshen-Kalimash “ha” edhe 100 mln USD

27/06/2011 15:00

Fatura e rrugës Durrës-Kukës, investimit publik më të madh të të gjitha kohërave, nuk ka të ndalur.

Top Channel ka mësuar se në 5 muajt e parë të vitit, qeveria i ka paguar konsorciumit Bechtel Enka edhe 100 milionë dollarë të tjera shtesë, si kosto për punimet në tunel. Sipas të dhënave zyrtare, në 5 muajt e parë të vitit, qeveria ka investuar rreth 22 miliardë lekë me burime të brendshme në ekonomi.

Por 45.5 për qind e tyre shkuan vetëm për rrugën Durrës-Kukës. Kostoja e rrugës, e cila ka vënë në vështirësi financat publike të Shqipërisë, vazhdon të rritet, edhe pse përurimi i saj është bërë plot dy vjet më parë, në qershor të 2009. Edhe me të dhënat zyrtare, tani rruga e ka kaluar shifrën 100 miliardë lekë ose 1 miliardë dollarë duke tentuar të kapërcejw nivelin 10 për qind të produktit të brendshëm bruto, një rekord ky jo vetëm për Shqipërinë.

Fatura e rrugës Durrës-Kukës, më saktë segmentit të kushtueshëm, Rrëshen Kalimash, ka qenë objekt debati, me akuza dhe kundërakuza mes opozitës dhe qeverisë. Para dy vitesh, pati madje dhe një hetim të prokurorisë. Edhe pse prokuroria zyrtaristh formuloi akuzën për abuzim me në vlerën e qindra milionë dollarëve, gjyqi nuk u zhvillua asnjëherë, pasi sipas gjykatës ishin tejkaluar afatet.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA